Shkarko Letrën e hapur në pdf.
Drejtuar: Kryetarës së Kuvendit të Shqipërisë
SH.S. Znj. Lindita NIKOLLA
Për Dijeni:
Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bajram BEGAJ
Kryeministrit, SH.T.Z. Edi RAMA
Kryetarëve të Grupeve Parlamentare
Partive Politike
Ambasadës së SHBA
Delegacionit të BE
Zyrës së OSBE
Trupit Diplomatik të akredituar
E nderuar Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, SH.S. Znj Nikolla!
Koalicioni për Reforma Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) ka si mision mbrojtjen dhe garantimin e lirive e të drejtave të njeriut, si dhe të dimensionit të plotë të sigurisë njerëzore nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës, qeverisjes demokratike, nxitjes së aktivizmit e të angazhimit qytetar si dhe nxitjes për përgjegjshmëri, transparencë e llogaridhënie të plotë të institucioneve publike dhe politike.
KRIIK në bashkëpunim me apo në kuadër të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë (KVV), si një ndër organizatat themeluese dhe drejtuese të KVV, ka ndjekur në vazhdimësi, veçanërisht pas Reformës Zgjedhore të korrikut 2012, zhvillimin e të gjitha proceseve dhe veprimtarive politike dhe institucionale, të cilat afektojnë drejtëpërsëdrejtë apo indirekt integritetin e proceseve zgjedhore.
Prej Dekretimit të datës së zgjedhjeve, nga Presidenti i Republikës, KRIIK po ndjek me vëmendje situatën në vend si dhe zhvillimet politike e institucionale, si dhe po monitoron përgatitjet e procesit zgjedhor të datës 14 Maj 2023, duke u akredituar edhe zyrtarisht pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me vendimin nr. 38 datë 08.02.2023, të këtij të fundit.
Në filozofinë dhe strategjinë e KRIIK, sikurse është bërë publike gjerësisht, mbetet thelbësor sigurimi i integritetit dhe i forcimit të Institucionit të Pavarur të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në pikëpamje të zbatimit pa ekuivok të ligjit, të ruajtjes së pavarësisë dhe paanësisë, si dhe të një qasje proaktive dhe performance të arrirë, në raport me sigurimin e integritetit të zgjedhjeve në vend, e posaçërisht të procesit zgjedhor në vetvete.
Sigurimi dhe manifestimi i integritetit dhe pavarësisë prej Institucionit të KQZ-së, është i lidhur ngushtësisht me aplikimin e standardeve dhe mbrojtjen e parimeve kushtetuese, sikurse duhet të manifestohet prej çdo institucioni tjetër shtetëror, në ndërtimin e një procesi zgjedhor me standarde europiane, si dhe të një klime institucionale dhe politike normale, për aq sa mund të ketë impakt e influencë KQZ-ja, duke ofruar një klimë zgjedhore të qetë, ku çdo operator dhe aktor i ngarkuar me detyra mbetet i angazhuar maksimalisht për përmbushjen e detyrimeve ligjore në kohë, pa cënuar afatet e ngushta përgatitore të procesit dhe pa ceduar në cilësinë e tij.
Kjo klimë zgjedhore e qetë është mëse e nevojshme për t’i bërë qytetarët të ndihen të sigurt për shprehjen e lirë dhe të pacënuar të vullnetit të tyre, duke iu dhënë të kuptojnë se procesi zgjedhor është i tyre, si një mundësi për të zgjedhur më të mirën e ofertave elektorale të paraqitura nga subjektet zgjedhore, për mirëadministrimin e qeverisjes vendore.
Është detyrë e shtetit, i cili nëpërmjet ligjit dhe institucioneve, të Institucionit të KQZ-së veçanërisht, të kujdeset për pacënueshmërinë dhe mos-ndikimin apo mos-orientimin në asnjë rast të votuesit shqiptar, duke vënë në funksion mekanizma parandalues dhe sanksionues ndaj tërë formave të pushtetit, qoftë ai politik, shtetëror, ekonomik apo edhe kriminal.
Në këtë mision madhor, KQZ-ja është i vetmi institucioni i ngarkuar nga ligji, i cili duhet të përballet dhe detyrojë me forcën e ligjit partitë politike për zbatimin e ligjit dhe rregullave të garës elektorale.
Në përvojën e derisotme në këtë përballje, ajo që ka bërë hapa pas dhe ka vuajtur pasojat ka qenë vetëm institucioni, duke shënjuar precedentë negativë në përvojën demokratike të krijuar, por edhe të sjelljes së pa-duhur të një institucioni të pavarur.
Partitë politike, kjo pasuri formacionesh politike, të mbrojtura me kushtetutë, të cilat bëjnë të mundur ruajtjen e pluralizmit që është në themel të rendit tonë juridiko-kushtetues, janë të lira totalisht për tu organizuar, shprehur lirshëm dhe formësuar opinione dhe alternativa politike për qeverisjen e vendit.
Por, ato nuk janë dhe nuk duhet në asnjë rast të konsiderohen mbi ligjin.
Nëse një formacion politik kërkon të marrë përsipër dhe të zhvillojë përgjegjësi publike apo edhe të qeverisë shtetin, duhet të fillojë të tregojë përgjeshmëri dhe përgjegjësi në respektimin katërcipërisht të kuadrit rregullator ligjor, si dhe kritereve dhe detyrimeve të parashikuara për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në garën elektorale.
Kjo kërkesë bëhet akoma më e dosmosdoshme, madje kthehet në sfidë kur flitet për parti politike me përvojë në administrimin e pushtetit dhe të shtetit, e veçanërisht të atyre që janë tashmë në pushtet.
Zbatimi i ligjit dhe i rregullave për të siguruar barazinë në garën elektorale, pa përfituar në asnjë rast nga avantazhi që mund të vijë prej kostumit zyrtar apo postit shtetëror[i], është standardi më minimal që duhet respektuar e detyrim ligjor që duhet zbatuar pa mëdyshje dhe në çdo rast. Kjo, pavarësisht se janë po këto parti politike të cilat propozojnë individë që vijnë nga gjiri i tyre apo si përfaqësues të vullnetit politik të tyre, të cilët administrojnë apo drejtojnë politikisht institucionet e shtetit shqiptar.
Vija ndarëse midis shtetit dhe partisë është dhe duhet të mbetet e qartë.
Çdo qasje e kundërt me këtë, nuk ka të bëjë në asnjë rast me një shtet ligjor e demokratik, e aq më pak me një shtet të së drejtës ku sigurohen parimet i mirëqeverisjes.
Në këtë betejë të vështirë, veçanërisht pas Reformës Zgjedhore të korrikut 2012, KRIIK ka mbështetur fort dhe në vijimësi institucionin e KQZ-së duke e nxitur për zbatimin e duhur dhe të plotë të ligjit, madje edhe duke e kritikuar jo pak herë atë.
Nisja e një procesi serioz shtetformimi e më pas konsolidimi i tij, nuk mund të bëhet pa u zhbërë më parë vatra e pandëshkueshmërisë dhe pazbatueshmërisë së ligjit që rrjedh drejtpërdrejt prej partive politike, përfaqësuesve dhe militantëve të tyre, apo mbështetjes që ato iu japin individëve të tjerë me pushtet.
Mungesa e një vullneti dhe qasje të qartë në këtë drejtim, si dhe e një rezultati konkret në këtë betejë, nuk mund të krijojë asesi një klimë të favorshme besimi tek ligji, institucionet e shtetit e madje as edhe tek vetë sistemi demokratik, duke ndikuar negativisht edhe në sfidat e tjera për vendin, sikurse është edhe suksesi i reformës madhore në drejtësi.
Sfidat e kësaj beteje dhe mungesa e rezultateve konkrete në të, lidhen ngushtësisht e thelbësisht me tërë kushtet e detyrimet, që Shqipëria duhet të përmbushë për të përqafuar realisht parimet dhe vlerat euro-atlantike dhe hyrë në familjen e europiane.
Megjithëse procesi zgjedhor prej nga u mandatuan deputëtët e Legjilaturës së X të Kuvendit të Shqipërisë, u mbajt në kushtet e pandemisë, KRIIK së bashku me një rrjet të konsoliduar partnerësh prej 33 organizatash e vëzhgoi atë në të tëra fazat e tij, në mënyrë të thelluar, duke angazhuar rreth 1000 vëzhgues në terren.
Ndërsa mekanizmi i parashikuar për parandalimin e përdorimit të burimeve shtetërore, i plotësuar me risi nga amendimet ligjore të 2020-ës, dështoi që në nisje të periudhës katër mujore përpara zgjedhjeve, një vëmendje e posaçme iu kushtua shqyrtimit dhe vendimmarrjes së KQZ-së së sapokonstituuar lidhur me financimin e fushatës zgjedhore.
KRIIK nxiti në vijimësi një qasje proaktive të KQZ-së lidhur me këtë çështje, të paadresuar asnjëherë më parë, duke ofruar edhe gjetje të dala nga provat në terren apo nga shqyrtimi i hollësishëm i raporteve të vetëdeklarimit të partive politike, vendimmarrje e cila u mbyll me vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksionave të 25 janarit 2023.
Pas evidentimit prej ODIHR, sikurse edhe prej KRIIK, të problemit madhor të shpërdorimit të burimeve shtetërore, në këtë proces zgjedhor, KRIIK po i kushton vëmendje të veçantë pikërisht funksionimit të këtij mekanizmi, duke e parë atë jo thjesht si një mekanizëm të shpërdorimit të burimeve shtetërore, në kuptimin material të tyre, por veçanërisht si një formë të drejtpërdrejt të orientimit, intimidimit apo edhe shantazhit politik që iu bëhet qytetarëve përpara zgjedhjeve.
Në këtë kuadër, KRIIK vlerëson performancën dhe punën e deritanishme të bërë nga KQZ-ja dhe administrata e saj duke bërë të funksionojë për herë të parë mekanizmi i raportimit prej më shumë se 700 institucioneve, si dhe bërë të mundur kontrollin apo ndalimin paraprakisht të disa aktiviteteve që janë gjykuar se mund të përbëjnë shpërdorim të burimeve shtetërore për arsye politike/elektorale.
KRIIK ka ndërvepruar ngushtësisht me KQZ, duke nxitur reagimin dhe forcimin e praktikës së saj, në drejtim të qasjes se duhet të jetë institucioni i KQZ-së, i cili pasi të marrë indicie, qoftë edhe nga një qytetar i thjeshtë anonim, të shqyrtojë tërësisht indicien dhe pretendimin, e proceduar më pas sipas parashikimeve ligjore.
Zbatimi i ligjit, për më tepër, suksesi ose jo i këtij mekanizmi, nuk mund të varet nga angazhimi ose jo i subjekteve juridike, parti apo shoqata, të cilat kanë kapacitetet e nevojshme për t’i adresuar shqetësimet në formën e denoncimeve dhe marrë vetë barrën e provës, sikurse u praktikua në dy proceset e mëparshme.
Fryma dhe gërma e Ligjit, parashikon dhe kërkon të kundërtën, që këtë barrë përballë çdo shqetësimi dhe indicie të servirur nga qytetarët, ta marë dhe ta provojë Institucioni i KQZ-së.
Në këtë kuadër, në konsolidim të kësaj qasjeje dhe praktike, KRIIK ka dërguar rreth 200 denoncime, në formën e indicieve, por duke ofruar për secilën prej tyre, prova dhe argumentimin përkatës, sipas gjykimit të KRIIK, mbi shkeljet që janë konstatuar gjatë kësaj periudhe si:
– mos raportimin e 150 aktivitete të kryera;
– 11 aktivitete me përmbajtje politike/elektorale e prani të personave politikë;
– 2 aktivitete të ndaluara të cilat janë zhvilluar;
– raportimin e 483 aktiviteteve (nga 2699 të raportuara në total) të raportuara për t’u zhvilluar në shkelje të afatit ligjor prej 5 ditësh;
– raste të pesë bashkive dhe 20 kryetarëve të bashkive të cilët kanë postuar në faqet e tyre zyrtare në rrjetet sociale postime të aktivitetit të Partisë Socialiste; etj.
E nderuar zonja Kryetare e Kuvendit!
Në këtë angazhim të tij, dhe në vijim të gjithë sa u parashtrua më sipër, KRIIK konsideron të nevojshme të ndajë me Ju, së pari, një çështje me rëndësi e cila po konsiderohet si një sprovë ndaj institucionit të KQZ-së, lidhur me prezencën dhe pjesëmarrjen aktive të Deputetëve në aktivitetet institucionale të organizuara nga institucione të tjera shtetërore, veçanërisht në Bashkitë e vendit.
Lidhur me këtë çështje, KRIIK ka shprehur Qëndrimin e tij zyrtarisht në KQZ, por edhe publikisht[ii], duke e konsideruar të paligjshme prezencën e përfaqësuesve politikë, qofshin këta edhe Deputetë, në veprimtaritë e përditshme të Administratës së Bashkisë dhe Kryetarit të saj, që këta të fundit zhvillojnë konform përgjegjësive dhe detyrave të tyre funksionale rutinë[iii], të cilat, sipas gjykimit të KRIIK dhe bazuar në parashikimet ligjore[iv] të Ligjit, nuk përputhen në asnjë pikë me përgjegjësitë dhe funksionet e Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë[v].
Shteti është i ndarë qartazi nga politika partiake, ndaj në këtë aspekt tërë funksionarët publikë përfshirë Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të jenë të kujdeshëm e zbatojnë Kushtetutën dhe ligjin.
Së dyti, Ju bëhet me dije dhe sillet në vëmendjen tuaj një rast flagrant i shkeljes së Kodit të Sjelljes prej një prej Deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, konkretisht të z. Etjen Xhafaj, i cili me pjesëmarrjen e tij në një aktivitet të ndaluar, ka sfiduar dhe shkelur vendimin e ndalimin që i vuri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve një aktiviteti në Bashkinë e Kavajës.
Gjatë monitorimit të procesit të raportimit u konstatua se në veprimtarinë “Takim me ekselentet e Qytetit dhe Njesive Administrative” që do të zhvillohej më datën 22.03.2023 në Bashkinë Kavajë, do të merrnin pjesë, përpos Kryetarit të Bashkisë dhe Deputetit z. Etjen Xhafaj, edhe të dy bashkëkryetarët e Partisë Socialiste Dega Kavajë.
KRIIK e denoncoi menjëherë këtë aktivitet pranë KQZ-së, duke i kërkuar që në bazë të nenit 92 pika 4 të Kodit Zgjedhor, aktiviteti të ndalohej.
Aktiviteti u ndalua nga KQZ-ja më datë 18 mars, fakt që u pasqyrua edhe në ndërfaqen e KQZ-së, seksioni i aktiviteteve të ndaluara[vi].
Nga monitorimi i mëpasshëm që iu bë zbatimit të këtij ndalimi, rezultoi se ky aktivitet ishte zhvilluar një ditë më përpara, pra në datën 21 mars 2023, dhe në të kishte marrë pjesë, përpos Kryetarit të Bashkisë Kavajë dhe bashkëkryetarëve të Partisë Socialiste Dega Kavajë, edhe Deputeti z. Etjen Xhafaj.
KRIIK e denoncoi[vii] sërish këtë fakt duke e konsideruar atë një sfidë të zbatimit të ligjit dhe të vetë Institucionit të KQZ-së prej aktorëve të përfshirë në këtë aktivitet.
Në denoncimin e bërë iu kërkua KQZ-së që të sanksionojë sipas parashikimeve ligjore, përpos titullarëve vendorë, edhe subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë, e cila është përfituesja kryesore nga ky aktivitet i ndaluar (neni 172 pika 1), ndërkohë që një zyrtar i lartë i saj, Sekretari Digjital z. Etjen Xhafaj, njëkohësisht Deputet, është edhe bashkëautor në këtë shkelje të konsumuar.
Gjithashtu, përpos sanksionimit, KRIIK i sugjeroi KQZ-së që t’i dërgonte një informacion të detajuar mbi këtë ngjarje Kuvendit të Shqipërisë, për thyerjen e Kodit të Sjelljes nga Deputeti z. Etjen Xhafaj.
Lidhur me gjithë sa më sipër, KRIIK Ju kërkon publikisht, e nderuar zonja Kryetare e Kuvendit që të nxisni nisjen e një procesi verifikimi dhe marrjen e informacionit të plotë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rastin, duke e konsideruar dhe trajtuar sa më parë shkeljen e konsumuar prej Deputetit Xhafaj sipas procedurave disiplinore përkatëse të parashikuara nga Rregullorja e Kuvendit.
Mosreagimi ndaj kësaj shkelje, nuk është gjë tjetër veçse një ftesë për të gjithë Deputetët e Kuvendit për të vijuar këtë praktikë, duke mos respektuar dhe shkelur vendimet e KQZ-së, duke sfiduar kështu ligjin, Institucionin si dhe tërë mekanizmin parandalues të shpërdorimit të burimeve shtetërore të përcaktuar në Kodin Zgjedhor.
Gjithashtu, KRIIK Ju nxit të ndërmerrni hapat e nevojshëm për të orientuar e këshilluar të gjithë deputetët për zbatimin me korrektësi të ligjit, duke mos abuzuar në asnjë rast me postin dhe funksionin publik që mbajnë, duke respektuar katërcipërisht kuadrin ligjor dhe Kodin e Sjelljes së Deputetit, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore.
[i] – Dokumenti i Kopenhagës
Neni 5.4 – “ndarje e qartë ndërmjet Shtetit dhe partive politike; në veçanti, partitë politike nuk do të shkrihen me shtetin.”
Neni 7.6 – Shtetet do t’u ofrojnë “…partive dhe organizatave politike garancitë e nevojshme ligjore për t’u mundësuar atyre të konkurrojnë me njëra-tjetrën mbi bazën e trajtimit të barabartë përpara ligjit dhe autoriteteve”.
– Komisioni i Venecias, Kodi i Praktikave të Mira në Fushën e Partive Politike
Paragrafi I.2.3.aa – “Duhet të garantohet barazia e mundësive për partitë dhe kandidatët. Kjo nënkupton një qëndrim neutral të autoriteteve shtetërore, veçanërisht në lidhje me:
i. fushatën zgjedhore
ii. mbulimin nga mediat, veccanërisht atë publike
iii. financimin publik të partive dhe fushataveinancimin publik të partive dhe fushatës”.
– Carter Center, Deklarata e Këshillit të Presidentëve dhe Kryeministrave të Amerikave
“Partitë dhe kandidatët duhet të kenë mundësi të drejta dhe barabarta për të bërë fushatë; qasja në media dhe burimet adekuate janë vendimtare. Përparësitë e padrejta që burojnë nga detyra duhet të adresohen dhe përdorimi i burimeve shtetërore që nuk vihen në dispozicion të të gjithë kandidatëve në fushatë elektorale duhet të ndalohet.”
– Konventa për Standardet e Zgjedhjeve Demokratike, të Drejtave dhe Lirive Zgjedhore në Komonuelthin e Shteteve të Pavarura
Neni 3(6) – “Kandidatët nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga pozicioni i tyre zyrtar ose avantazhet e detyrës me qëllimin për t’u zgjedhur”.
[ii] Të tërë dokumentet e dërguara zyrtarisht në KQZ gjenden të publikuara në faqen e internetit të KRIIK.
[iii] Në seancën e mbledhjes së KAS të datës 29 mars 2023, KRIIK i sugjeroi publikisht KAS-it që, si pjesë e organeve drejtuese të KQZ-së të ndërveprojë me Komisionerin dhe administratën, si dhe të shtrijë interpretimin e tij mbi ndalimin ose jo të pranisë së deputetëve, personave politikë njëkohësisht funksionarë publikë, në aktivitetet institucionale të institucioneve të ndryshme, veçanërisht të Bashkive, sidomos tani kur deri në ditën e zgjedhjeve ka mbetur pak më shumë se 1 muaj, e cila përbën edhe periudhën më të zjarrtë, pasi është periudha zyrtare e zhvillimit të fushatës elektorale.
[iv] – Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (e ndryshuar).
– Ligji nr.8550, datë 18.11.1999 “Statusi i deputetit” (i ndryshuar).
– Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (e ndryshuar).
– Vendimi Nr. 61/2018 “Për miratimin e kodit të sjelljes së deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”.
[v] Theksohet se për shkeljen që diskutohet, nuk ndodhemi në asnjë rast në kushtet kur i ndalohet Deputetit të kontaktojë me zgjedhësit. Ligji parashikon qartë se kur Deputeti mund të kontaktojë me zgjedhësit si pjesë e veprimtarisë së tij parlamentare, format me të cilat mund të kontaktojë me ta dhe se cilat janë detyrat e tij në raport me ta. Pra, ai mund të kontaktojë me ta drejtpërdrejt apo nëpërmjet partisë politike që ai përfaqëson, por në asnjë rast nuk mundet qw ai të shfrytëzojë aktivitetin institucional të institucioneve, e aq më pak të atyre të qeverisjes vendore, për të cilat parashikohet qartësisht mënyra e komunikimit institucional dhe e ndërveprimit me ta.
– Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë (e ndryshuar) përcakton se Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues (neni 70). Ky parashtrim, në gjykimin e KRIIK, lidhet me ushtrimin e sovranitetit popullor që ata përfaqësojnë (neni 2) në qëndrimet që ata mbajnë në përmbushje të funksionit publik, duke adresuar ndër të tjera çështje konkrete apo edhe të tjera me interes të gjerë publik ose politik.
– Ligji nr.8550, datë 18.11.1999 “Statusi i deputetit” (i ndryshuar), në nenin 4 pika 3 të tij përcakton qartë detyrat dhe lidhjen e deputetit me zgjedhësit e zonës zgjedhore të cilët e kanë zgjedhur dhe që ai i përfaqëson duke përcaktuar se “deputeti ka të drejtë të shprehë lirisht mendimet e tij dhe të zgjedhësve që ai përfaqëson, nëpërmjet diskutimeve, propozimeve, debatit, interpelancave dhe pyetjeve, mocioneve, deklaratave dhe votës”. Ndërkohë në nenin 5 të këtij ligji qartësohet akoma më shumë natyra e veprimtarisë dhe e ndërveprimit të tij me zgjedhësit të cilët e kanë zgjedhuur duke përcaktuar se “deputeti takohet periodikisht me zgjedhësit ose kur e kërkojnë ata”.
Po në këtë ligj, parashikohet edhe pjesëmarrja e Deputetit në aktivitete të ndryshme institucionale të pushtetit vendor, por kur këto të fundit bëjnë pjesë në zonën zgjedhore në të cilën deputeti banon ose është zgjedhur, si dhe marrëdhënia protokollare përkatëse (neni 24).
Kështu në nenin 24 pika 3 të këtij ligji përcaktohet se “Deputeti përfshihet, pas ministrave, në protokollin e bashkisë, të rrethit (qarkut) dhe prefekturës, ku banon ose ku është zgjedhur”.
Ndërkohë në pikën 4 të këtij neni, përcaktohet edhe sfera e veprimtarive dhe mënyra se si Deputeti ftohet në këto veprimtari, duke saktësuar se “Deputeti ftohet të marrë pjesë në delegacionet zyrtare, ceremonitë, pritjet dhe veprimtaritë politike, kulturore, shoqërore dhe sportive, sipas protokollit të përcaktuar në këtë nen”.
Përsa i përket statusit të tij të veçantë ligji në nenin 2 të tij parashikon se “1. Deputeti i Kuvendit gëzon status të veçantë gjatë periudhës së ushtrimit të mandatit të deputetit, status që buron nga Kushtetuta dhe nga ligjet. 2. Me status të deputetit kuptohet pozicioni që ka ai në marrëdhëniet juridike, në marrëdhëniet me organet administrative shtetërore dhe organet e qeverisjes vendore, si dhe të drejtat dhe detyrimet financiare dhe protokollare.”
Parashikimet e nenit 6 deri në nenin 11, përmbledhin tërësinë e kompetencave dhe mënyrës së ndërveprimit me institucionet qëndrore e vendore, i cili në çdo rast mbetet një komunikim institucional i tij si përfaqësues i çështjeve të zgjedhësve, dhe nuk parashikohet asnjë ndërveprim i përbashkët me zgjedhësit në mënyrë të drejtpërdrejtë, për më tepër në kontekstin ligjor dhe kohor për të cilën diskutohet rasti.
– Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (e ndryshuar) në nenin 40 të saj qartëson veprimtarinë parlamentare të deputetëve duke saktësuar se “Deputetët janë në veprimtari parlamentare kur ata marrin pjesë në seancë plenare, në mbledhjet e komisioneve / nënkomisioneve ose të këshillave, në veprimtari brenda ose jashtë vendit ose veprimtari në zonat zgjedhore, duke njoftuar më parë shërbimet përkatëse në Kuvend …”.
Ndërkohë në nenin 40/1, jepet edhe “Programimi i veprimtarisë parlamentare” përgjatë javës apo edhe muajit kalendarik.
Kështu, nga e hëna në të enjte, përcaktohet aktiviteti i deputetëve me pjesëmarrjen e tyre në komisionet e përhershme parlamentare ose organet e tjera të Kuvendit dhe seancën plenare, sipas përcaktimit të bërë në kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit.
Ndërsa ditën e premte, sipas pikës 1 përcaktohet se “Kuvendi zhvillon veprimtarinë parlamentare sipas rregullave të mëposhtme: … ç) Ditën e premte, si rregull, zhvillohet veprimtari e deputetëve dhe e grupeve parlamentare për njohjen e zgjedhësve me punimet e Kuvendit dhe për trajtimin e problemeve që kanë zgjedhësit në qarqe dhe zonat zgjedhore”.
Gjithashtu, në pikën 3 të po këtij neni përcaktohet se “Java e katërt kalendarike është në dispozicion të deputetëve dhe grupeve parlamentare për veprimtari të përcaktuara në pikën 1, shkronja “ç”, të këtij neni”.
– Vendimi Nr. 61/2018 “Për miratimin e kodit të sjelljes së deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, ka për qëllim, ndër të tjera, “të orientojë deputetin të ushtrojë detyrën e tij, duke përcaktuar parimet etike, sipas standardeve të duhura të sjelljes dhe të forcojë integritetin e tij gjatë kohëzgjatjes së mandatit”.
Ky Kod zbatohet për të gjitha aspektet e jetës publike të deputetit (neni 2, pika 1). Sipas tij, “Deputeti, gjatë ushtrimit të mandatit, duhet të veprojë në përputhje me të drejtat dhe detyrimet që parashikohen në legjislacionin në fuqi për statusin e deputetit, si dhe të udhëhiqet nga parimet e ligjshmërisë, ndershmërisë, objektivitetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë” (neni 3).
Lidhur me detyrat e Deputetit, neni 4 i tij, përcakton se “Deputeti merr pjesë rregullisht në veprimtarinë parlamentare dhe jashtëparlamentare të Kuvendit, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit” (pika 1) , si dhe “Deputeti merr takime periodike me zgjedhësit, vetë ose kur e kërkojnë ata. Ai i përfaqëson ata duke u marrë mendime për nisma ligjvënëse, amendamente, vendime dhe çështje të tjera që harton, shqyrton dhe miraton Kuvendi” (pika 3).
Gjithashtu, në nenin 5 përcaktohet se “Deputeti përfshin dhe trajton pa diskriminim dhe me humanizëm shqetësimet e nevojat e zgjedhësve që përfaqëson në diskutimet e debatet në seancë plenare dhe në komisionet parlamentare, në shqyrtimin dhe miratimin e dokumenteve parlamentare e planeve të veprimit, si dhe në aktet ligjore që miraton”.
Ndërsa në nenin 9, përcaktohet edhe se “Deputeti përdor kohën e punës, burimet, stafin dhe pronën e Kuvendit vetëm për të kryer detyrën që i është ngarkuar”.
[vi] Theksohet se ky ishte aktiviteti i parë i ndaluar nga KQZ-ja që prej ngritjes dhe vënies në funksionim të këtij mekanizmi, pas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në vitin 2020.
[vii] Denoncim – Lidhur me zhvillimin e veprimtarisë së ndaluar nga KQZ-ja, prej Bashkisë Kavajë më datë 21.03.2023.
Tiranë, më 31 mars 2023