A. Lidhur me pikën e parë të Projektvendimit, Titullin e Programit dhe veçanërisht në pikën “I. Qëllimi dhe parimet” të tij, gjykojmë se do të ishte me vend të përcaktoheshin edhe se cilët janë këta aktorë të tjerë të ngarkuar me detyra zgjedhore apo të përfshirë në zgjedhje.
Përcaktimi i qartë që në fillim i targetit të këtij vendimi, gjykojmë se i jep rëndësinë e duhur përmbajtjes së tij që në fillim, barazinë në rëndësinë e përgjegjësive dhe detyrave që duhet të përmbushen nga të gjithë aktorët e ngarkuar sipas ligjit, sikurse edhe organizimin me një kujdes më të plotë dhe me vëmendjen e duhur të programit të parashikuar.
B. Në kreun “V. Procedurat për aplikimin e kandidatëve për trajnerë të administratës zgjedhore” jepen parashikimet për targetin e monitorimit të Trajnerëve afatgjatë dhe atyre afatshkurtër, dhe konkretisht nëpërmjet pikës 4 dhe 5 të tij:
“… 4. Trajneri afatgjatë angazhohet me trajnimin e
a) administratës zgjedhore
b) punonjësve të administratës së pushtetit vendor
c) monitoruesve të fushatës zgjedhore
d) kandidatëve të subjekteve politike
e) monitorimin e administratës zgjedhore
5. Trajneri afatshkurtër angazhohet me trajnimin e:
a) administratës zgjedhore
b) kandidatëve të subjekteve politike
c) monitorimin e administratës zgjedhore. …”.
Vërehet se në tërë përmbajtjen e tij, programi përcakton më qartësisht si kategori që do të trajnohet Administratën Zgjedhore, së bashku me tërë rregullimet dhe parashikimet e tjera të nevojshme. Madje i ka bashkëlidhur Programit edhe një planifikim të realizimit të trajnimeve të parashikuara.
Një gjë e tillë mungon për kategoritë e tjera që parashikohen të trajnohen nëpërmjet këtij Programi dhe konkretisht për punonjësit e administratës së pushtetit vendor, monitoruesit e fushatës zgjedhore dhe kandidatët e subjekteve politike.
Në pikat të ndryshme të Programit thjesht është bërë parashikimi se:
“VIII.4.a. Trajnimi i monitoruesve të fushatës zgjedhore dhe trajnimi i administratës publike të qeverisjes vendore do të kryhet në nivel qarku. Kalendari, vendi, orari dhe organizimi i trajnimit të monitoruesve të fushatës zgjedhore, administratës publike të qeverisjes vendore do të realizohet nga KQZ, përkatësisht nga Drejtoria e subjekteve zgjedhore, mbikëqyrjes, financimit dhe monitorimit (DSZMFM).”
“VIII.4.b. Në trajnimin e kandidatëve të partive politike do të përfshihen edhe trajnerët e rekrutuar për një periudhë afatshkurtër, pasi më parë të jenë trajnuar nga KQZ. Kalendari, vendi, orari dhe organizimi i trajnimit të do të realizohet nga KQZ, përkatësisht nga (DSZMFM).”
“IX.8. Trajneri paguhet edhe për realizimin e trajnimeve të tjera me administratën e pushtetit qendror a vendor, kandidatëve të subjekteve politike apo monitoruesve të fushatës zgjedhore sipas programit të hartuar nga drejtoritë që mbulojnë këto çështje dhe të miratuar nga KQZ.”
“IX. 11. Përmbushja e detyrimeve të trajnerëve për trajnimin e monitoruesve të fushatës zgjedhore, kandidatëve, administratës së pushtetit vendor dhe përllogaritja e aspekteve financiare të këtyre trajnimeve ndiqet dhe analizohet nga DSZMFM.”
“XII. Kalendari i trajnimeve.
… Planifikimi i trajnimeve të tjera bëhet nga DSZMFM.”
KRIIK është i mendimit dhe sugjeron që në këtë Program, duhet të parashikohen qartazi se cilët janë kategoritë që do të trajnohen, sferën e përgjegjësive të tyre dhe ndërlidhjen me aktet rregullatore përkatëse nëse ka, si dhe fushat e trajnimit, apo modulet kryesore.
Veçanërisht kjo vlen për punonjësit e të administratës publike të pushtetit vendor, cilët prej tyre do të trajnohen dhe për çfarë do të trajnohen.
E njëjta gjë edhe për kandidatët e subjekteve politike se për çfarë ata do të trajnohen.
Gjithashtu, KRIIK sugjeron se është e nevojshme të vendosen afate kohore kufi si dhe elementë të tjerë kryesorë të nevojshëm, si p.sh.. lidhur me monitorimin apo kostot financiare apo edhe se si do të organizohet kjo punë nga DSZMFM.
Këto parashikime do të përvijojnë kuadrin orientuese brenda të cilit DSZMFM-ja do ta veprojë dhe do ta ketë më të lehtë që të bëjë tërë organizimin e procesit të trajnimit, monitorimit dhe vlerësimit.
C. Lidhur me modulet e trajnimet që do të përdoren. KRIIK gjykon se është e domosdoshme që në hartimin e metodologjisë së trajnimit dhe kurrikulave përkatëse, të merren në konsideratë dhe të trajtohen shkeljet e vërejtura nga procesi i auditit post-zgjedhor për këqyrjen e materialeve zgjedhore qoftë të Zgjedhjeve Parlamentare 2021, qoftë të Zgjedhjeve të Pjesshme Lokale 2022.
Ndaj sugjerohet që ky parashikim të bëhet pjesë e tekstit të programit, si pikë më vete ose si plotësim i pikës IX.2. dhe IX.8.
E njëjta gjë vlen dhe duhet bërë edhe për hartimin e metodologjisë së trajnimit dhe kurrikulave përkatëse për trajnimin e monitoruesve të fushatës zgjedhore, administratës publike të qeverisjes vendore dhe kandidatëve të subjekteve politike.
Në hartimin e tyre duhen marrë në konsideratë tërë gjetjet e analizës së bërë nga vetë administrata e KQZ-së, rastet e hetimit administrativ apo ankimimeve të shqyrtuara nga KQZ-ja, si dhe gjetjet apo rekomandimet e bëra në raportet përkatëse të vëzhgimit nga vëzhgues ndërkombëtarë dhe vendas, përfshirë rekomandimet e dala nga tryezat e diskutimeve e takimeve ku KQZ-ja ka qenë pjesë, e ku për tematikë kanë patur aktorët e mësipërm dhe sferën e përgjegjësisë së tyre, në mënyrë direkte apo indirekte.