Në komunikimin e datës 2 nëntor KRIIK ka shprehur Qëndrimin e tij, veçanërisht atë në nivelin politik të çështjes, ku ndër të tjera thekson se i qëndron fort nevojës për domosdoshmërinë e adresimit të të gjitha shkeljeve të dokumentuara dhe të vëna në dispozicion zyrtarisht edhe Institucionit tuaj që në qershor 2022 (në formën e indicieve), përpos publikimit të tyre në Raportin Final të publikuar në shkurt 2022.
KRIIK vlerëson punën e bërë nga administrata e KQZ-së në hartimin e raportit të auditimit të fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga subjektet zgjedhore në Zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2021, por gjykon se në të ka elementë të papërfshirë, ndryshe nga sa u deklarua në mbledhjen e datës 20.10.2022, ndërkohë që edhe për shkeljet e konstatuara dhe të përfshira në raport, KRIIK është i mendimit se mungon adresimi me një qasje të plotë proaktive të KQZ-së në zhvillim të përgjegjësive, rolit dhe kompetencave të cilat i janë dhënë nga ligjvënësi. (në rast se konsiderohet me interes, KRIIK mund t’u përcjellë veçan konsideratat e tij për sa parashtrohen në këtë paragraf).
KRIIK i qëndron fort dhe nxit KQZ-në për adresimin e shkeljeve jo vetëm ndaj partive politike, si subjekte juridike, por në radhë të parë ndaj individëve nominalë të cilët ushtrojnë funksione, detyra e përgjegjësi në shkelje të parashikimeve ligjore. Integriteti politik dhe institucional i partive politike është i lidhur pazgjidhshmërisht me integritetin politik e individual të funksionarëve, përfaqësuesve apo kandidatëve të tyre.
Konkretisht, nevojitet që KQZ t’i shohë e për rrjedhim të sanksionojë, shkeljet e kandidatëve si përgjegjësi direkte të tyre dhe jo si një shkelje e bërë nga partia politike përkatëse nën parashikimin ligjor të një raporti jo në përputhje me formatin e miratuar, i cili në gjykimin e KRIIK është i pavend.
Për më tepër që tërë kuadri ligjor dhe rregullat e raportimit financiar përcaktojnë qartë ndarjen veçmas të përgjegjësive midis partive politike dhe kandidatëve. Madje këta të fundit deklarojnë qartas në formularët e raportimit të tyre edhe përgjegjësitë që marrin përsipër nëpërmjet deklarimeve të bëra. (Pjesa C – Deklarata, Formati tip i raportimit financiar të fushatës zgjedhore për kandidatët në listat shumëemërore të subjekteve zgjedhore për zgjedhjet për Kuvend, Modeli i miratuar me vendim nr. 13 datë 06.04.2021 të Komisionit Rregullator).
Po ashtu, duhet të njihet mbajtja e përgjegjësisë veçanërisht nga financierët e partive politike ndaj të cilëve ka role, procedura dhe përgjegjësi të mirëpërcaktuara nga kuadri ligjor, madje ata edhe janë trajnuar në vazhdimësi për këtë qëllim nga institucioni i KQZ-së dhe partnerë të tjerë.
Kandidimi i tyre në listat e kandidatëve të partisë përkatëse, nuk mund të anashkalohet ndërkohë që kjo është një kusht dhe kërkesë e prerë dhe e qartë nga kuadri ligjor.
Ndërsa përsa i përket evidentimit të Zyrave Zgjedhore që kanë funksionuar për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, metodologjia dhe një informacion i plotë dhe i hollësishëm paraqitet në Raportin Final të Vëzhgimit të KRIIK.
Shkurtimisht, ju risjellim në vëmendje se përpos evidentimit në terren nëpërmjet vëzhguesve të KRIIK, është bërë shqyrtimi i çdo raporti të depozituar në KQZ, përfshirë të gjitha raportimet e depozituara prej kandidatëve të partive politike, pavarësisht vështirësisë në leximin e tyre.
Veçojmë këtu se në rastin e përmendjes së emrave të kandidatëve, të ndarë në parti të ndryshme brenda koalicionit PD-AN, kjo është bërë duke iu referuar siglës së partisë së vendosur përbri emrit të tyre në listën e kandidatëve të publikuar në faqen e internetit të KQZ .
Po ashtu, tek raporti i vetëdeklarimit të LSI është deklaruar disa herë e njëjta zyrë zgjedhore, me gjasa për shkak të deklarimit sipas muajve të paguar, ndaj është llogaritur si e njëjta zyrë zgjedhore. Gjithashtu ky subjekt ka deklaruar si dhurim në natyrë zyra të vëna në dispozicion nga 3 bashki (Berat, Pogradec dhe Mallakastër) të cilat eventualisht mund të jenë edhe zyra të partisë për degën përkatëse në këto bashki. Në përllogaritjet e KRIIK referuar vetëdeklarimit, këto zyra janë konsideruar si zyra zgjedhore, pasi kanë funksionuar si të tilla .
Një tjetër mekanizëm kontrolli i përdorur për këto zyra ishte monitorimi i zbatimit të Udhëzimit nr. 6, datë 23.03.2021 “Për përdorimin e materialeve propagandistike e edukuese dhe rregullat për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore” të KSHZ, sipas të cilit subjektet zgjedhore duhet të njoftonin Kryetarët e Bashkive si dhe vetë KQZ-në.
Ky rezultoi një detyrim thuajse i papërmbushur, pasi vetëm tri subjekte (PS, PD dhe LSI), nga dhjetë të evidentuara që kishin hapur zyra zgjedhore, njoftuan për hapjen e këtyre zyrave, por edhe këto vetëm në tetë bashki (Delvinë, Dropull, Elbasan, Krujë, Libohovë, Mat, Peqin dhe Përrenjas) .
Në total, nga shqyrtimi i tërë raporteve përfundimtare të monitorimit të depozituara në KQZ nga monitoruesit e KQZ-së rezultojnë 660 zyra zgjedhore të hapura nga subjektet zgjedhore, ndërkohë që për 35 prej tyre nuk është specifikuar se cilit subjekt i përkasin.
Ndërkaq, pas një rishikimi tërësor të gjetjeve, pas kërkesës suaj të datës 3 nëntor, duke shmangur dyshimet dhe pasaktësitë e mundshme, rezulton se nga monitorimi në terren prej vëzhguesve të KRIIK, janë hapur 621 zyra zgjedhore në total. Ndërkaq sipas raporteve të vetëdeklarimit të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve figurojnë në total 390 zyra zgjedhore, duke shënuar një diferencë akoma më të madhe, prej 231 zyrash zgjedhore të padeklaruara.
Në konkluzion, KRIIK është i mendimit se Raporti i përgatitur prej KQZ-së duhet të përmbajë në mënyrë të plotë të gjitha shkeljet e vërejtura, madje përfshirë rastet kur vetë KQZ është treguar tolerante, dhe më pas sigurisht që është në diskrecionin dhe kompetencën e institucionit të KQZ-së për të vazhduar me sanksionimin ose jo të subjekteve të gjetura në shkelje të kuadrit ligjor rregullator në fuqi.
Ndërsa përsa i përket gjetjeve të dala nga monitorimi i KRIIK që po ju përcjellim, theksojmë se ato janë riorganizuar në formë të tillë që të mund t’i shërbejnë qëllimit tuaj dhe për të lehtësuar punën tuaj për të vënë në dijeni subjektet zgjedhore garuese të 25 prillit 2021. Ndaj ato gjenden më poshtë (shih lidhjet përkatëse) për çdo subjekt zgjedhor pjesëmarrës në Zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Bazën e plotë të të dhënave për zyrat zgjedhore (përfshi vendndodhjen gjeografike, partinë, kandidatin dhe lidhje tek fotografia e zyrës, mund ta shkarkoni këtu në .csv.
Këtu mund të shihni një hartë të shpërndarjes së zyrave zgjedhore.
Gjetjet janë produkt i një pune voluminoze të shqyrtimit të raporteve të vetëdeklarimit të cilat janë ato të publikuara në faqen e internetit të KQZ dhe janë vështirësisht të lexueshme, duke qenë se asnjë subjekt zgjedhor nuk e solli këtë raportim në formatin e editueshëm “Excel” sikurse parashikohet detyrimisht nga formatet e raportimit. Kjo do të thotë se nuk përjashtohet mundësia e gabimeve njerëzore, përsa iu përket sidomos shifrave të evidentuara e të përllogaritura, ndërkohë që qëllimi i të dhënave të nxjerra e dërguara mbetet ai i indicies për një verifikim më të thelluar dhe të plotë nga institucioni i KQZ-së.
Shkarko dokumentin zyrtar dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve