Datë 26 Prill 2021, Ora 22:45 pm – Tashmë bëhet me dije se ka përfunduar totalisht procesi i numërimit në bashkitë Pustec dhe Libohovë, si dhe në Njësinë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë për hir të përdorimit të teknologjisë, pra të votimit dhe të numërimit elektronik. Për sa i përket, procesit të numërimit për subjektet zgjedhore, ky proces ka përfunduar në 35 zona të administrimit zgjedhor dhe rezulton se janë numëruar deri tani 3846 qendra votimi nga 5199 të tilla. Ajo që mund të themi për rastet e evidentuara deri tani, është se vihet re se ka ende vende të numërimit të votave që ka dyndje të personave të paautorizuar brenda, por edhe përreth vendeve të numërimit të votave. Në ZAZ-në 51 në ZAZ 83 në Vlorë, ZAZ 31 në Tiranë, në ZAZ 69 gjithashtu, nuk ka një kontroll për personat që hyjnë në vendet e numërimit të votave.
Në KZAZ Nr. 47 policia ka nxjerrë jashtë vëzhguesit partiakë me kërkesë nga KZAZ me arsye se po shqetësonin me ankesat e tyre komisionin. Lidhur me këtë rast të fundit, pavarësisht legjitimitetit që mund të ketë patur KZAZ-ja në rastin e përmendur duhet bërë me dije të gjitha forcave politike që të informojnë saktësisht përfaqësuesit e tyre si vëzhgues politikë pranë vendeve të numërimit të votave për mënyrën e kontestimit. Pra, nëse kanë kontestim me mënyrën se si grupet e numërimit të votave po ecin me procesin apo edhe për mënyrën se si ata i shfaqin fletët në kamerë apo edhe për çfarëdolloj gjëje tjetër. Sigurisht që në një rast të tillë, KZAZ-ja duhet të ketë mirëkuptimin që të trajtojë me durim të gjitha pretendimet e vëzhguesve politikë për sa kohë që ato janë të qenësishme dhe kanë përmbajtje, dhe paraqiten edhe me shkrim, por nga ana tjetër partitë politike duhet që të shmangin kontestimet e paqena, të cilat synojnë të rritin artificialisht tensionin në vendet e numërimit të votave apo dhe të vonojnë procesin.
Në këtë rast, duhet bërë me dije qartësisht KZAZ-ve që vëzhguesit politikë t’i shprehin këto kontestime përmes ankesave me shkrim. KZAZ-të duhet të bëjnë ç ‘është e mundur që të riidentifikojnë personat brenda vendeve të numërimit të votave duke lejuar aty vetëm individët e lejuar nga ligji, të cilët janë komisionerët, personat që merren me teknologjinë, vëzhguesit e akredituar dhe kandidatët. Çdo zyrtar lokal apo qendror duhet që të akreditohet si vëzhgues. Nga informacionet e vëzhguesve që ne kemi, ka dyndje të personave të paautorizuar, madje këtu në qendrën operative kanë ardhur foto dhe video që tregojnë prezencën e personave, të cilët janë pa akreditimin e vendosur në vend të dukshëm dhe tregon për një dyndje tejnormale brenda këtyre qendrave.
Lidhur dhe me shqetësimin e ngritur për numrin e lartë të fletëve të pavlefshme, vërehet që janë rreth 60 mijë fletë votimi të pavlefshme që përbën rreth 5% të votave të numëruara deri në këtë moment. Shpërndarja gjeografike e këtyre fletëve të pavlefshme është e njëjtë për të gjitha qarqet, kjo vjen edhe nga ngatërresa që qytetarët mund të kenë bërë në momentin që kanë hedhur votën e tyre.
Është përgjegjësi e KZAZ-ve dhe e GNV-ve që të sigurojnë për integritetin e procesit dhe të fletëve të votimit në momentin që kur hapet kutia e votimit dhe deri në momentin që ato skanohen dhe përmblidhen në procesverbalin e secilës qendër votimi. Pra duhet të jetë barra e komisionerëve që të tregojnë se ky proces në çdo hallkë të tij gëzon një integritet të plotë dhe nuk ka dyshime se mund të manipulohet, nuk ka dyshime se mund të bëhen shënime të tjera që e bëjnë fletën të pavlefshme apo devijojnë votën e qytetarit. I vetmi rast kur një vote është e pavlefshme është vetëm në rastin kur janë vendosur më shumë sesa 2 shenja që u përkasin subjekteve të ndryshme, 2 subjekte zgjedhore të ndryshme, apo kur është një subjekt zgjedhor dhe një kandidat i një subjekti tjetër, apo kur në fletën e votimit janë bërë shënime të ndryshme nga qytetarët si fraza apo shenja të tjera që nuk kanë lidhje me procesin e votimit. Është me rëndësi që këtë shqetësim të legjitimuar të qytetarëve apo edhe të subjekteve zgjedhore, KZAZ-të dhe GNV-të ta adresojnë me përgjegjësi të lartë që të bëjnë transparence në mënyrë rigoroze protokollit të vendosur nga KQZ-ja në mënyrën e hapjes së kutive të votimit dhe mënyrën e vlerësimit të fletëve të votimit dhe kalimit të tyre në kamera në tavolinat e numërimit. Dënohet rasti i videos së publikuar nga kandidati u pavarur Kreshnik Merxhani, një video e bërë publike në faqen e Facebook-ut. Vëzhguesit e KRIIK kanë kontaktuar me kandidatin dhe me burime pranë ZAZ-së Tepelenë dhe duket se videoja ka gjasa të jetë e vërtetë dhe ku duket shënjimi në fletët e votimit, i cili është një rast që është haptas në shkelje të ligjit dhe për të cilin institucionet përkatëse duhet të reagojnë.
KQZ-ja nxitet ashtu, si dhe ka reaguar, për ta verifikuar rastin dhe të ndërmarrë hapat përkatës.
Duke kaluar te kandidati i pavarur në Tiranë se në procesverbalin nuk figuron fare emri i kandidatit. Në një procesverbal normal të qendrës së votimit qëndrojnë 13 subjekte zgjedhore ku 12 janë subjektet politike dhe i fundit është kandidati i pavarur i qarkut Tiranë. Ndërkohë që në një procesverbal tjetër, figurojnë vetëm 12 subjektet zgjedhore dhe nuk figuron kandidati i pavarur. Është shumë e rëndësishme që KZAZ-të të marrin masa dhe të shmangin gabime të tilla, të cilat duhet të qartësohen se si është e mundur që të qartësojë se si ka ndodhur një gabim i tillë që ngre pikëpyetje mbi procesin e vlerësimit të votave dhe mënyrën e administrimit të tij në pikëpamje të informatizimit të informacionit. Nxitet KQZ-ja që të reagojë sa më shpejt për këtë procesverbal në KZAZ-në 38.
Referuar rezultatit të numërimit deri në këto momente, KRIIK vlerëson masën e Komisionerit të bërë me dije pak momente më parë në konferencën për shtyp, i cili ka vendosur që të marrë në shqyrtim mundësinë e vendosjes së sanksioneve administrative ndaj komisionerëve për moszbatim të Kodit Zgjedhor dhe për moszbatim të nenit 122/1 në lidhje me afatin në të cilin vendet e numërimit të votave duhet të respektojnë deri në orën 21:00 të datës 26 prill. Nisur nga informacionet që na vijnë që ka një lodhje të komisionerëve.
KRIIK u ka bërë thirrje komisionerëve dhe partive politike, si dhe grupeve të numërimit që të vënë në funksionim mekanizmin e parashikuar të ndërrimit të grupeve të numërimit të votave për të mospezulluar procesin e numërimit të votave. Pezullimi i procesit të numërimit të votave nuk sjell asgjë të mirë në këtë faze të procesit. Është i domosdoshëm që procesi i numërimit të votave për subjektet zgjedhore të vazhdojë i pandalur. KZAZ-të në bashkëpunim me subjektet elektorale kryesore të ndërtojnë grupe të tjera numërimi për të ndërruar grupet e numërimit pa i tejlodhur ata dhe pushimi mund të kryhet pas numërimit të subjekteve zgjedhore. Kjo për një arsye mbasi mbaron ky proces sheshohet çdo dyshim i mundshëm për prekjen e mundshme të votave që kanë të bëjnë me kandidatët dhe në këtë moment vihet në funksionim mekanizmi tjetër që Komisioneri i Zgjedhjeve ka miratuar vetëm një ditë para zgjedhjeve që ka të bëjë me marrjen e filmimeve të numërimit të votave për zonën zgjedhore nga të gjithë kandidatët dhe subjektet zgjedhore çka do të thotë që të jepet mundësia e vazhdimit në mënyrë institucionale të grupeve të numërimit të votave tashmë për kandidat mund të bëhet në mënyrë të pavarur nga subjektet zgjedhore apo nga kandidatët, vlerësimi i fotove i skanimeve të fletëve të votimit.
Kjo është një garanci më shumë jo vetëm për transparencën e procesit por për të siguruar besueshmërinë dhe transparencën e procesit në radhë të parë ndaj vet subjekteve zgjedhore që garojnë dhe kandidatëve, por edhe për vet qytetarët. Do të ishte një garanci më shumë për t’u treguar anëtarëve të grupeve të numërimit të votave që puna e tyre dhe mënyra se si ata po numërojnë është tashmë e dokumentuar dhe në kuadrin e ri ligjor të amenduar dhe frymën e re, në procesin e mëpasëm apo në auditin zgjedhor që parashikohet të bëhet, do të merret përgjegjësitë përkatëse ndaj kujtdo komisioneri, i cili shkel ligjin apo tenton të manipulojë votën e zgjedhësve sikurse ishin pamjet e evidentuara pak më parë.
Kështu që në këtë aspekt nxiten edhe njëherë KZAZ-të, grupet e numërimit të votave dhe veçanërisht forcat e partive politike që i propozojnë këta komisionerë që të mbështetin komisionerët për të mos e ndalur punën, por për ta vazhduar procesin e numërimit për 1300-1400 kutitë e mbetura pa numëruar, në mënyrë që të kemi daljen sa më parë të rezultatit për subjektet zgjedhore në të gjithë vendin.
Në vazhdim do të kalojmë në disa incidente të tjera, të cilat vlejnë që t’i sjellim në vëmendje.
Në KZAZ 89 në Delvinë është evidentuar një konfrontim verbal midis kryetares së bashkisë së Delvinës me kryetarin e komisionit duke i kërkuar të mbanin qetësi vëzhguesit. Në mbrojtje të kryetares është vendosur një komisioner tjetër dhe kjo ka sjellë një përplasje midis komisionerëve.
Është shumë e rëndësishme që të gjithë kandidatët apo personat e autorizuar brenda vendeve të numërimit të votave, nëse kanë kontestime, të ndjekin rrugën ligjore. Çdo person, i cili është zyrtar i lartë publik, apo qoftë edhe i zgjedhur si në rastin në fjalë, apo edhe kandidat, sërish nuk ka asnjë të drejtë më tepër me ligj, ligji është i barabartë ndaj tij sikundër gjithë të tjerëve dhe duhet të ndjekë rrugën institucionale të adresimit të shqetësimeve të mundshme apo legjitime që mund të ketë.
Në asnjë rast nuk duhet lejuar dhe KZAZ-të duhet të veprojnë për të mbrojtur komisionerët e grupeve të numërimit të votave, pra anëtarët e grupeve të numërimit të votave nga intimidimi apo kërcënimi që mund të lindë nga kushdo zyrtar i lartë që është në pjesën e vëzhguesve. Për më tepër që në rastin kur këta mund të jenë të paautorizuar, KZAZ-ja duhet të ndërhyjë menjëherë duke kërkuar ndërhyrjen e forcave të rendit. Duke investuar mekanizmat ligjorë dhe instrumentet ligjore të cilët janë në dispozicion. Sikurse ka ndodhur në KZAZ 47, ku forcat e policisë janë lajmëruar nga ana e kryetarit të komisionit të KZAZ 47 në Elbasan, pasi disa nga vëzhguesit partisë socialiste kanë intimiduar numëruesit në lidhje me kontestimet e votave. Me këtë rast forcat e policisë kanë bërë të mundur edhe pastrimin e zonës së vëzhguesve dhe të ambienteve të numërimit të votave nga disa persona të tjerë të paautorizuar që qëndronin aty.
Shqetësim ka pasur gjithashtu në KZAZ 24 në Durrës ku një person i njohur si krahu i djathtë i zyrtarëve lokalë dhe i zyrtarëve të lartë socialistë me inicialet AB, ndërhyn në grupet e numërimit duke tentuar të kontrollojë punën apo edhe të intimidojë anëtarët e grupeve të numërimit. Forcat e rendit kanë ndërhyrë, por nuk kanë mundur ta nxjerrin jashtë. Kështu që Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor duhet të kuptojnë se ato janë të gjithëpushtetshme dhe të gjithëfuqishme brenda këtyre institucioneve, pra brenda vendeve të numërimit të votave dhe kanë ligjin me vete dhe duhet të përdorin të gjithë fuqinë ligjore dhe instrumentin ligjor për të vendosur rregull dhe për të mbrojtur edhe anëtarët e grupeve të numërimit të votave nga intimidimi që mund të bëhet nga zyrtarë të lartë apo nga të tjerë grupe, sado të fortë qofshin ato nga pikëpamja e fuqisë politike, ekonomike, apo çdo fuqie tjetër.
Në KZAZ 86 ka pasur kontestim vote nga ana e vëzhguesve, ku grupi i numërimit të votave nuk ka pranuar që të marrë në shqyrtim kontestimin dhe është dashur ndërhyrja e komisionit të KZAZ për të qetësuar situatën, pasi situata u tensionua dhe u kalua në ushtrime presionesh dhe në dhunë verbale duke ndërprerë dhe procesin e numërimit, por që tashmë numërimi vazhdon normalisht.
Lidhur me incidentin e KZAZ 22 në Durrës ku një procesverbal rezulton me numër votuesish më pak sesa fletë votimi ishte thjesht gabim teknik i sqaruar tashmë, pasi në procesverbal ishte shënuar numri i votuesve sikurse figuronte në pajisjen elektronike të identifikimit dhe ishin harruar 15 votuesit që kishin firmosur manualisht dhe kartat e identitetit dhe shenjat biometrike të gishtave të të cilëve nuk ishin bërë të mundur të merreshin nga pajisja elektronike e identifikimit dhe kjo ishte arsyeja e mospërputhjes.
Në lidhje me konfliktin fizik të bërë me dije edhe në disa medie në KZAZ 43 në Rrogozhinë, pra nuk ka lidhje me procesin e numërimit, por verifikimi që vëzhguesit atje kanë bërë, por ka qenë diskutimi për të shpallur një votim të pavlefshëm apo jo, pasi vula e kryetarit ka qenë jo e dukshme mirë, megjithatë çështja është zgjidhur me mirëkuptim nga komisionerët. Kemi gjithashtu një raportim nga KZAZ 57 në Bashkinë Fier ku numëruesit përdorin terma diskriminues gjatë numërimit.
Është shumë e rëndësishme për të tërhequr vëmendjen e të gjithë anëtarëve të komisioneve zonale të administrimit zgjedhor dhe grupeve të numërimit të votave që të ruajnë etikën dhe në rastin konkret të mos përdorin terma diskriminues apo fyes dhe as të bëjnë propagandë as tifozeri të asnjë force politike dhe të asnjë individi, qoftë lokal apo i çdo përkatësie tjetër.
Kjo ishte pak a shumë ecuria e deritanishme e procesit të numërimit. Vëzhguesit tanë janë duke parë veçanërisht me shumë rëndësi llojin ose arsyen e konsiderimit të votave të pavlefshme. Shpresojmë shumë që ky trend të stopojë, pasi 5% nuk janë pak për kaq sa është numëruar dhe një numër rritës do të bëhej realisht shqetësues dhe mundet që të ketë edhe efekt në rezultat. Kështu që është shumë e rëndësishme që lidhur me ketë gjë të respektohet rigorozisht procedurat e parashikuara në vendin e numërimit të votave për grupin e numërimit të votave, në mënyrë që të ruhet besimi ndaj këtij procesi jo vetëm nga subjektet politike, por nga të gjithë qytetarët.