NJOFTIM PER SHTYP
Ditën e nesërme, me datë 1 Nëntor 2020, në Republikën e Moldavisë do të mbahen Zgjedhjet Presidenciale. Këto zgjedhje shënojnë herën e katërt të përzgjedhjes me votë popullore të Presidentit të Republikës për këtë vend, qe prej shpalljes se pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik, në gusht 1991.
Zgjedhjet e nesërme vijnë në një moment të vështirë për vendin dhe shoqerinë moldave, që përballen me sfidat e një besimi shumë të ulët të popullit ndaj institucioneve shtetërore dhe sistemit gjyqësor, nivele të larta të korrupsionit dhe pandëshkeueshmërisë, një sistem gjyqësor jo funksional, dhe migracion masiv të qytetarëve. Mbajtja e zgjedhjeve të besueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse, në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike është konsideruar një test vendimtar për demokracinë dhe shtetin ligjor nga partnerët ndërkomëbatrë të Moldavisë
Dinamikat e paqëndrushme politike, herë pas here janë paraprirë apo kanë ndjekur vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese të vendit. Vendimmarrje kjo që ka marrë kritika jo të pakta, si jo e pavarur dhe me anshmëri politike.
Ndërsa, në raport me përvojën e proceseve zgjedhore, jo vetëm Gjykata Kushtetuese, por i tërë sistemi gjyqësor ka mbartur një rol determinant në mbarëvajtjen e tyre. Në tërësinë e tij, i tërë ky mekanizëm, është manifestuar jo si garant i integritetit zgjedhor, por si një instrument diskrecional në fatin e proceseve zgjedhore.
Një sfidë specifike në mbarëvajtjen e deritanishme të fushatës zgjedhore të zhvilluar dhe përgatitjes së këtij procesi zgjedhor është situata e emergjencës së shëndetit publik. Republika e Moldavisë shënon një ndër vendet që po përballet me një situatë kritike të pandemisë së virusit të Covid-19. Situatë që pritet të përcaktojë edhe ecurinë e Ditës së nesërme të Zgjedhjeve në raport me pjesëmarrjen e votuesve, apo edhe të problematikave proceduriale që mund të pasjellë.
Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MNVZ) në Moldavi i ndërmarrë nga Rrjeti Europian i Organizatave të Monitorimit të Zgjedhjeve (ENEMO) ka nisur të ndjekë dhe monitorojë ecurinë e këtij procesi zgjedhor që prej muajit shtator të këtij viti.
Ky MNVZ përbëhet nga 8 ekspertë anëtarë të Ekipit Qendror, 8 vëzhgues afagjatë si dhe 26 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të vëzhgojnë ditën e nesërme të votimit, përfshirë numërimin dhe tabelimin e rezultateve, që, sipas sondazheve parashikohet të përbëjë raundin e parë të votimit, pasi asnjë prej kandidatëve nuk pritet të fitojë mbi 50% të votave që në këtë raund.
MNVZ-ja është përgatitur gjithashtu të ndjekë dhe vëzhgojë edhe raundin e dytë të 15 nëntorit, nëse do të ketë një të tillë.
Në Raportin e Ndërmjetëm të Monitorimit të publikuar më datë 26 tetor 2020, MNVZ-ja vlerësoi ndër të tjera se në përgjithësi legjislacioni zgjedhor siguron bazat për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, nësë vullnetet e palëve dhe institucioneve nuk mungojnë.
Megjithatë, Raporti evidenton mangësi të kuadrit ligjor, problematika në barazinë e kandidadëve garues përgjatë fushatës zgjedhore si dhe një mekanizëm gjyqësor pasiv përballë ankimimeve të paraqitura.
MNVZ-ja pritet të paraqesë Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake pas Ditës së Zgjedhjeve, nëpërmjet një Konference për Shtyp, të martën më datë 3 Nëntor 2020, ora 11.00 me orën lokale të Moldavisë.
Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), si pjesë e ENEMO-s prej vitit 2009 dhe si anëtar i Sekretariatit Drejtues për dy mandate rresht prej vitit 2015, ka kontribuar në vazhdimësi në kryerjen e MNVZ-ve prej ENEMO-s duke angazhuar aktivistët dhe bashkëpunëtorët e tij.
MNVZ-ja për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Presidenciale të 1 Nëntorit 2020 shënon Misionin e katërt të Vëzhgimit që ENEMO ka kryer përgjatë këtij viti, pas atij për vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 21 Qershorit 2020 në Sërbi, Zgjedhjeve Parlamentare të 30 Gushtit 2020 në Mal të Zi dhe Zgjedhjeve Lokale të 25 Tetorit 2020 në Ukrainë.
Në këtë Mision Ndërkombëtar Vëzhgimi në Moldavi, KRIIK kontribuon me Zv/Kryetarin e tij z. Dritan Taulla si Shef të Misionit, me ekspertin e tij ligjor për çështjet zgjedhore z. Reald Keta, si Analist Ligjor në Ekipin Drejtues të MNVZ-së, si dhe me një vëzhgues afatgjatë dhe dy vëzhgues afatshkurtër.
Angazhimi aktiv i KRIIK në këto Misione Ndërkombëtare, nëpërmjet një trupe aktivistësh dhe bashkëpunëtorësh, përpos qëllimit për të kontribuar në rritjen e standardeve të zgjedhjeve dhe të vetë demokracisë në vendet me demokraci të zhvillim, përbën një përvojë domethënëse dhe të rëndësishme për rritjen e ekspertizës dhe të kapaciteteve njerëzorë në ndërtimin, ndjekjen dhe monitorimin cilësor të proceseve zgjedhore dhe proceseve të tjera demokratike edhe në vendin tonë.
Tiranë, më 31 Tetor 2020!
Njoftimin e plote per shtyp ne pdf mund ta shkarkoni KETU