Aksioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare të 25 Prillit 2021
Procesi i numërimit të votave përfundoi në të gjithë vendin në orët e para të mëngjesit të datës 30 prill 2021[i] dhe tashmë ka nisur dorëzimi i materialeve zgjedhore dhe i kutive të votimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve[ii].
Në ndryshim nga procesi i votimit, numërimi i votave u shoqërua me tensione, zvarritje dhe ndërprerje në një pjesë të konsiderueshme të vendeve të numërimit të votave. Administrimi i procesit të numërimit nuk u karakterizua nga i njëjti nivel eficence dhe transparence si ai i votimit.
KRIIK vërejti me shqetësim se, pavarësisht qëndrimeve të prera të Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, vendimmarrjeve prej tij dhe thirrjeve të vazhdueshme për vijim të pandërprerë të procesit nga ana e tij, por edhe nga organizatat vëzhguese të zgjedhjeve si KRIIK, sërish edhe në këto zgjedhje vullneti zbatues i komisionerëve ndaj ligjit dhe hierarkisë institucionale mbeti dytësor, duke realizuar me vonesë të pajustifikueshme përmbylljen e numërimit dhe nxjerrjen e rezultateve prej KZAZ-ve.
Akoma më shqetësues mbeti fakti se numërimi i votave parapëlqyese nuk mori vëmendjen e duhur. Kjo jo vetëm gjatë procesit të numërimit, por si një qëndrim në vijimësi përgjatë ndërtimit dhe zhvillimit të procesit zgjedhor dhe, veçanërisht, përgjatë fushatës zgjedhore.
Ky element i cili do të rekuperonte sadopak parashikimin kushtetuës të lidhjes më direkte të zgjedhësit me deputetin, konstatohet tashmë qartazi se u përdor veç si argument justifikues për ndryshimet e njëanshme kushtetuese të korrikut 2020 e me pas edhe të amendimeve të ligjit zgjedhor të tetorit 2020. Një proces i nxituar, i miratuar me shkelje ligjore dhe pa konsultim real publik, i cili tashmë rezultoi si jo-efikas në raport me aspiratat e “mundësisë së listave të hapura” për gjallimin dhe funksionalitetin e demokracise shqiptare.
Nga përfundimi paraprak i procesit të numërimit rezulton se vetëm tri kandidatë e thyen herësin dhe nxitën ri-renditjen në listë si rrjedhojë e votimi parapëlqyes.
Faktet tanimë publike të sjella nga KRIIK apo nga media dhe subjekte zgjedhore, që ngrenë dyshime mbi cënimin e vullnetit të zgjedhësve gjatë procesit të numërimit nëpërmjet tjetërsimit të fletëve të votimit, janë tejet shqetësuese, madje alarmante.
KRIIK i bën thirrje institucioneve kompetente të hetojnë me seriozitet maksimal dhe në një kohë sa më të shpejtë të gjitha indikacionet në lidhje me këtë fenomen dhe të çojnë para përgjegjësisë ligjore të gjithë individët që kanë kryer krime zgjedhore.
Numri jashtëzakonisht i lartë i fletëve të votimit të pavlefshme në këto zgjedhje, të cilat në praktikë janë të barasvlefshme me rreth shtatë mandate mbetet një problem madhor.
Ndërsa mbetet e paqartë se sa kjo i faturohet mosinformimit të qytetarëve dhe sa tjetërsimit potencial të votave gjatë procesit të numërimit, KRIIK i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të marrë masat e nevojshme që arsyeja e këtij numri tejet të lartë të votave të pavlefshme të vlerësohet me saktësinë më të lartë të mundshme, duke përdorur me efikasitet hapësirat dhe instrumentat që parashikon ligji, veçanërisht lidhur me ndikimin e tyre në këtë proces zgjedhor, por edhe për të rekomanduar, ndjekur e zhvilluar masat e duhura qoftë për ndëshkimin sipas ligjit të përgjegjësve mbi rastet e mundshme të tjetërsimit të vullnetit të zgjedhësve gjatë numërimit, qoftë për ta adresuar atë si çështje për t’u përmirësuar në të ardhmen.
Fakti që në ZAZ-në Nr. 40, ku u zhvillua projekti pilot i votimit dhe numërimit elektronik, ka më pak se 1% vota të pavlefshme, është tregues i një numr më të vërtetë të vullnetit qytetar që vendos të mos zgjedhë asnjë nga alternativat e ofruara, pavarësisht se kjo nuk mund të thuhet me siguri duke qenë se nuk është një kampion i përgjithësueshëm.
Ndërkohë mbetet përgjegjësi dhe detyrim madhor edhe për subjektet zgjedhore që të adresojnë institucionalisht tërë pretendimet dhe kontestimet e tyre, lidhur me procesin e numërimit.
Sigurimi i integritetit të procesit dhe i besueshmërisë së tërë palëve dhe të gjithë qytetarëve në këtë proces, mbetet një dosmosdoshmëri me interesin më të lartë e më të gjerë publik, se sa thjesht korrigjimi ose jo i rezultatit të një subjekti zgjedhor.
Pas ditës së zgjedhjeve e deri më sot, pranë KQZ-së janë depozituar dy ankimime që ankimojnë sanksionet administrative të vendosura ndaj komisionerëve të KZAZ-ve nga KQZ-ja[iii], ndërkohë që asnjë ankimim nga subjekte zgjedhore nuk është regjistruar.
KRIIK rithekson dhe iu risjell në vëmendje tërë subjekteve zgjedhore se është thelbësore, jo vetëm për këtë proces zgjedhor specifik, por nisur edhe nga përvoja problematike e proceseve të mëparshme, si dhe për sigurimin e së ardhmes demokratike e të qasjes institucionale, që të ndiqet rruga ligjore dhe institucionale për të gjitha pretendimet dhe ankimimet duke shfrytëzuar dhe investuar mekanizmat dhe instrumentat e parashikuara nga ligji, në respekt të frymës dhe gërmës së Kushtetutës dhe tërë kuadrit ligjor.
Procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar. Procesi i ankimimeve dhe apelimeve që vjen në këtë fazë të procesit zgjedhor është një element thelbësor, i cili jep mundësinë e korrektimit të shtrembërimeve apo mosmbarëvajtjeve të vërejtura, nëpërmjet mekanizimit të drejtësisë zgjedhore.
Organet e Drejtësisë Zgjedhore, mjaft problematikë në të shkuarën, duhet të reflektojnë dhe zbatojnë frymën e Kushtetutës dhe të ligjit, në respekt edhe të aspiratave të Marrëveshjes Politike të 5 qershorit 2020.
Administrata zgjedhore, në raport me këtë proces duhet të ushtrojë me efikastet të lartë dhe profesionalizëm detyrat e saj të parashikuara nga ligji.
Po ashtu, organi drejtues i KQZ-së, i ngarkuar si hallka e parë e dhënies së drejtësisë zgjedhore, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, si dhe Kolegji Zgjedhor duhet të ushtrojë me përgjegjshëmri, seriozitet dhe profesionalizëm të lartë të gjithë ankimimet e paraqitura, duke i trajtuar ato në përputhje me ligjin dhe parimet kushtetuese.
Anëtarët e KAS duhet të refuzojnë përsëritjen e qëndrimeve partizane e të anshme politike. Ata duhet të udhëhiqen nga domosdoshmëria për sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe parimeve që në janë në themel të tij, dhe të shmangin diskrecionin dhe vendimmarjen ekstraligjore me qasje racionale në dobi të përmbylljes së shpejtë të procesit.
Në përfundim, KRIIK sërish iu bën thirrje aktorëve politikë dhe institucionalë që të evitojnë polarizimin e situatës politike dhe retorikën e ashpër, së paku deri në përfundimin e plotë të procesit zgjedhor.
Mazhoranca socialiste, për më tepër si forca politike fituese në këtë fazë të procesit, ka detyrimin madhor të sigurojë qetësinë e jetës publike dhe institucionale duke nxitur dhe krijuar një klimë të favorshme për adresimin e çdo shqetësimi, pretendimi apo kontestimi që mund të vijë nga kushdo prej aktorëve të shoqërisë, qofshin ato subjekte zgjedhore, mediatike, apo nga çdo aktor tjetër.
Institucionet duhet të lejohen të zhvillojnë përgjegjësitë si dhe të përmbushin funksionet e tyre në zbatim të ligjit në mënyrë të pandikuar.
Nisma e fundit politike prej mazhorancës, e bërë me dije në media, për shkarkimin e Presidentit të Republikës, e cila pason një përplasje të gjatë institucionale prej gati 2 vjetësh, nuk sjell asgjë të re dhe të jashtëzakonshme në diskutimin publik, përpos rritjes dhe tensionimit artificial të situatës dhe vendosjes nën presion të të gjithë institucioneve të përfshira për dhënien e drejtësisë zgjedhore, por edhe të vetë subjekteve apo aktorëve të tjerë që duan të adresojnë kontestimet e tyre lidhur me procesin zgjedhor.
KRIIK vlerëson qarkoren që Kryeprokurori Çela u ka dërguar Prokurorive të rretheve për të intensifikuar përpjekjet për hetimin e krimeve që prekin votën.
Nxitet dhe mbështetet me forcë Kryeprokurori dhe të gjithë Prokurorët për të ndjekur me seriozitet dhe përkushtim të gjitha indiciet dhe çështjet që kanë të bëjnë me prekjen e votës dhe cënimin e integritetit të tërë hallkave dhe elementëve që përbëjne procesin zgjedhor.
Megjithë ndjeshëmërinë e lartë dhe të drejtëpërdrejtë politike të çështjes dhe përgjegjësive politike që mund të dalin, Prokurorët duhet të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe të tregojnë se janë pjesë e një mentaliteti dhe drejtësie të re, aq shumë të aspiruar nga populli shqiptar dhe të mbështetur nga tërë partnerët më të rëndësishëm ndërkombëtarë. Një Drejtësi e cila nuk ka frikë dhe nuk nguron të ngrejë akuza dhe vërë para përgjegjësisë këdo që shkel ligjin, cënon lirinë e votës dhe intimidon qytetarin, pavarësisht pozitës së tij politike, shtetërore apo sociale.
Në përfundim, KRIIK bën me dije se ka mbajtur shtatë konferenca për shtyp gjatë ditës së votimit dhe procesit të numërimit të votave, duke njoftuar në vazhdimësi publikun dhe aktorët e interesuar për ecurinë e procesit, ndërkohë që ka publikuar dhe Deklaratën e Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake, ditën e hënë, datë 26 prill.
Të gjithë deklarimet e mëparshme të KRIIK në lidhje me procesin, mund t’i gjeni më poshtë:
Deklarata të KRIIK përgjatë ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit të votave (25 – 28 prill 2021):
- Konferencë për Shtyp, Ecuria e Procesit të Votimit, datë 25 Prill, ora 12:00.
- Konferencë për Shtyp, Ecuria e Procesit të Votimit, datë 25 Prill, ora 15:30.
- Konferencë për Shtyp, Ecuria e Procesit të Votimit, datë 25 Prill, ora 18:00.
- Konferencë për Shtyp, Mbyllja e Qendrave të Votimit dhe Dorëzimi i Materialeve Zgjedhore dhe Kutive të Votimit në VNV, datë 25 Prill, ora 23:30.
- Prezantimi i Deklaratës së Gjetjeve dhe Përfundimeve Paraprake – Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 25 prill 2021, datë 26 Prill, ora 22:25.
- Konferencë për Shtyp, Ecuria e Procesit të Numërimit, datë 26 Prill, ora 22:45.
- Konferencë për Shtyp, Ecuria e Procesit të Numërimit, datë 27 Prill, ora 22:30.
- Konferencë për Shtyp, Ecuria e Procesit të Numërimit, datë 28 Prill, ora 22:15.
Tiranë, më 30 Prill 2021 !
[i] KZAZ nr. 38, Bashkia Tiranë, ishte e fundit që përfundoi numërimin në orën 6:30 të mëngjesit të datës 30 prill.
[ii] Deri në momentin e publikimit të kësaj Deklarate, pranë KQZ-së janë dorëzuar kutitë nga 66 KZAZ.
[iii] Anëtarët e KZAZ-së Nr. 35, me objekt “Anulimin e Vendimit nr. 316, datë 26.04.2021 të KSHZ” dhe nga anëtarët e KZAZ-së Nr. 22 me objekt “Anulimin e Vendimit nr.309, datë 26.04.2021 të KSHZ”.